Bashkia Himarë · Bregdeti Jon

Lukova Jone

Fshati ynë mes detit dhe malit. Një vend ku njerëzit kthehen çdo verë, edhe kur jetojnë larg gjithë vitin.

Çatitë me tjegulla të Lukovës dhe deti Jon pas ullishteve

Rreth Lukovës

Lukova shtrihet në bregdetin jon të Shqipërisë, në territorin e Bashkisë Himarë. Rrugët e saj zbresin nga kodrat me ullishte drejt detit të hapur.

Kjo faqe u bë për banorët, për familjet që janë larguar dhe për këdo që do të njohë fshatin. Këtu mund të vendosim histori, foto, ngjarje dhe lajme nga vendi.

Shtëpi guri me tjegulla dhe deti i hapur në horizont
Heronjtë e fshatit

Vasil Bubuçi (Spiro)

Kapetani i Lukovës së Himarës, 1875 – 1912

Portret i Vasil Bubuçit me pushkë dhe fishekë, me një shtëpi që digjet dhe gra që vajtojnë pas tij

Vajtimi i vdekjes së tij

Dita e Jenarit pesë, Seneja më dymbëdhjetë, Ra një mjegull, bij' një vesë, Në sheshë të Bradharesë, Tek skoloja, gjëm' u ndezë. Foli ulqeja -- ulqesë, Të lufton besa me besë, Shpoi plumbi shìshanesë, Nëpër xham' të penxheresë, U përgjunjë dashi kopesë. Të vran' o Bubuç të vranë, Në Bregdet kishe lën' namë, Për njerëzin e për vatanë. Prite - prite, s' t' erdh'n imdatat, Z' u'lërijn' deti dhe Lavan, Në vaj na bien kambanat, Nxijnë burrat, kok' e kalcat, Qan' leshgrirat, qot motakët, Gur't e udhës dhe sokakët, Fshatit-të, mbi kok', andrallët, Nga hajdutët dhe koshadhët, Se kan' nom, të bëjn' hata - rët. Dërgon' kartën Arqigoi, Vasil Spiros të m'i thoi:-- " Për imdat që më dërgoi, Keq më vjen, por s'kam ç'i thoi, Që Lukova rënd' e p'soi, Gjithë Bregun e helmoi, Krahun tim e sakatoi. " Nat' e ditë përmbi trima, Sup e brez, ngjeshur martina, Buk' e gjum' , në këmb' a' t' rrima. Omith të kish vegjëlia, Lis e shkëmb, jeshe frëngjia, Për mëndje të mirrë paria. Ç'kishë pjellurë Dhespina, ( e jëma) Gjarpërin me vërshëllima.

Ky është vajtimi ditën e vdekjes, nga ajo që Lukoviotët e quanin në atë kohë Mëmë Thica Gjoni.
Dhënë nga dy veta: Taqo Mëhilli, nga Mino Mërtiri, dhe me telefon, Marika Stefani.

Heronjtë e fshatit

Vrana Mërtiri, një jetë pa kompromis

Një burrë me kostum dhe një grua me shami të bardhë përpara një shtëpie guri me hardhi dhe koshere bletësh

Vrana Mërtiri lindi në Lukovë në vitin 1900, në familjen e Nan Mërtirit dhe Agathi Nastit. Ishte një prej atyre figurave që lanë gjurmë jo vetëm në familjen e tyre, por edhe në kujtesën e fshatit.

Njeri i arsimuar, me kulturë të gjerë dhe etje të vazhdueshme për dije, Vranai zotëronte frëngjishten, greqishten dhe italishten. Për disa vite jetoi në Athinë dhe Selanik, ku u mor me tregti, duke ushtruar aktivitet në fushën e këpucëve, lëkurëve dhe gomisterisë. Në Selanik kreu studime për agronomi, dije që më vonë do t’i vinte në praktikë në vendlindjen e tij. Në Selanik ai njohu edhe bashkëshorten, Melpomenin, bashkëudhëtare e dhimbjeve të tij, me prejardhje nga një familje fisnike e Trapezundës së Azisë së Vogël, të cilën në Lukovë e thërrisnim me dashuri, hallë Melpua.

Fatkeqësisht, çifti nuk pati fëmijë.

Pas kthimit në Lukovë, njohuritë e fituara gjatë studimeve për agronomi i vuri në praktikë dhe në shërbim të bashkëfshatarëve. U mësonte djemve lukoviotë shartimin e ullinjve, agrumeve, fiqve dhe pemëve të tjera dhe ishte ndër të parët që solli në fshat kosheret moderne të bletëve. Dijen që kishte fituar nuk e mbante për vete, por përpiqej t’ua përcillte edhe të tjerëve.

Një tjetër pasion i madh i Vranait ishte mjekësia dhe infermieria. Këtë pasion ai e vuri në shërbim të njerëzve. Shkonte nga shtëpia në shtëpi për t’u bërë injeksionet të sëmurëve, i këshillonte për problemet shëndetësore dhe mjekimin që duhej të ndiqnin, duke përdorur edhe njohuri të mjekësisë alternative. Ndihma e tij nuk kufizohej vetëm në Lukovë, Vranai shkonte edhe në fshatrat përreth sa herë që njerëzit kishin nevojë për të.

Jeta e tij u përball herët me sprova të rënda. Në qershor të vitit 1944, gjatë pushtimit gjerman, u mor së bashku me mbi 70 burra të tjerë nga Lukova dhe u dërgua në një kamp përqendrimi në Gjermani. I mbijetoi internimit dhe u kthye në vendlindje.

Me vendosjen e regjimit komunist filloi për Vranain një përndjekje tjetër, edhe më e egër, kësaj here nga pushteti i ri dhe nga vetë njerëz të fshatit të tij. Vrana Mërtiri ishte antikomunist i bindur dhe properëndimor dhe nuk pranoi as të heshtte, as të shtirej dhe as të bënte kompromis me bindjet e veta. Për këtë u burgos dy herë nga regjimi.

Veçanërisht e rëndë ishte lufta që iu bë në Lukovën e tij. Përballë një njeriu poliglot, të arsimuar e me kulturë, që kishte studiuar e jetuar jashtë vendit, lexonte, me një bibliotekë personale shumë të pasur dhe sillte dije e metoda të reja, u vunë eksponentë të pushtetit komunist lokal, njerëz me arsimim e horizont kulturor tejet të kufizuar, të indoktrinuar nga ideologjia e kohës dhe intolerantë ndaj kujtdo që guxonte të mendonte ndryshe. Pushteti që u kishte dhënë regjimi u krijoi mundësinë që bindjen politike (nëse mund ta quajmë bindje pasi më shumë ishte injorancë dhe ligësi) ta shndërronin në mjet presioni dhe hakmarrjeje ndaj një bashkëfshatari që nuk pranonte t’u nënshtrohej.

Armiqësia ndaj Vranait arriti deri te lufta kundër librave të tij. Paria komuniste e kohës angazhonte njerëz që shkonin në shtëpinë e tij dhe i digjnin librat e bibliotekës private. Ishte një veprim sa i dhunshëm, aq edhe domethënës: njerëz që nuk mund të përballeshin me të në dije dhe kulturë, zgjodhën të digjnin librat prej të cilëve buronte një pjesë e asaj dijeje. Për Vranain, që gjithë jetën kishte lexuar, studiuar dhe kërkuar të mësonte, kjo ishte shumë më tepër se një dëm material; ishte një përpjekje për ta poshtëruar, për ta izoluar dhe për të goditur mendimin e tij të lirë.

Në këtë mënyrë, përplasja mori edhe një domethënie më të gjerë: nga njëra anë libri, dija, kultura dhe e drejta për të menduar ndryshe; nga ana tjetër, fanatizmi ideologjik, intoleranca dhe forca e pushtetit. Atë që nuk mundën t’ia ndryshonin me bindje, u përpoqën t’ia thyenin me presion, burg, përndjekje, poshtërim dhe djegien e librave. Por Vranain nuk arritën ta nënshtronin. Ai mbeti deri në fund besnik i bindjeve dhe ndërgjegjes së vet.

Persekutimi goditi rëndë edhe jetën e tij familjare. Bashkëshortja e tij, Melpomeni, hallë Melpua, si pasojë e gjithë atij presioni dhe tmerri komunist, e mbylli tragjikisht jetën në Spitalin Psikiatrik të Vlorës, e mbyllur në këtë spital jo si pasojë e ndonjë diagnoze mjekësore, por nga urrejtja e kundërshtarëve politikë. Pas humbjes së saj, barba Vranai mbeti vetëm. Njeriu që kishte njohur një jetë tjetër, që kishte studiuar, punuar, lexuar dhe u kishte shërbyer njerëzve, e ngrysi jetën i vetmuar, i braktisur dhe në gjendje të mjeruar.

Megjithatë, deri në pleqëri nuk hoqi dorë nga libri dhe dija. Vitet e fundit i kaloi pranë asaj që kishte mbetur nga biblioteka e tij private, duke lexuar veçanërisht Ungjillin, librin që e shoqëroi gjithë jetën.

Vrana Mërtiri u nda nga jeta në vitin 1991, në moshën 89-vjeçare. Në varrimin e tij morën pjesë njerëz nga i gjithë Bregu i Detit, një dëshmi e respektit që kishte fituar mes njerëzve, pavarësisht përndjekjes dhe përpjekjeve për ta mënjanuar.

Vrana Mërtiri ishte një lukoviot me mendje të lirë, një njeri i dijes dhe i punës, që njohuritë e tij në agronomi, bletari e mjekësi i vuri në shërbim të njerëzve dhe që pagoi shtrenjtë refuzimin për të bërë kompromis me ndërgjegjen e vet.

Regjimi mundi ta burgoste, ta përndiqte, t’i digjte librat dhe ta linte në vetmi, por nuk mundi t’ia ndryshonte bindjet.

Emra të tillë nuk duhet të harrohen. Ata janë pjesë e kujtesës dhe e historisë së Lukovës.

Kujtim dhe respekt përjetë për Vrana Mërtirin.

Për të parë dhe për të bërë

Plazhi

Uji i kthjellët i Jonit dhe guralecët e bregut. Vendi ku mbledhet fshati në verë.

Ullishtet

Kodrat mbi fshat janë mbushur me ullinj, pjesë e jetës së përditshme prej brezash.

Rrugët e fshatit

Shtëpitë e vjetra prej guri, sheshet e vogla dhe kafenetë ku ndalojnë të gjithë.

Të kremtet

Festat dhe takimet e verës, kur kthehen familjet nga Shqipëria, Greqia dhe më larg.

Kishat e fshatit

Kishat janë pjesë e kujtesës së Lukovës: vendi ku mblidhej fshati në festa, në pagëzime e në ditë zie. Këtu do të vendosim secilën kishë me emrin, historinë dhe fotot e saj.

Shën Thanasi

Kisha e Shën Thanasit me mure të verdhë dhe harqe, nën një qiell blu Kupola e kishës së Shën Thanasit në perëndim të diellit, me detin në sfond

Shën Kolli

Kisha e vogël e bardhë e Shën Kollit me kryq blu, mes kodrave Kupola blu e kishës së Shën Kollit me kryq blu dhe detin pas saj

Shën e Premte

Kisha e vjetër prej guri e Shën e Premtes me çati nga pllaka guri dhe kupolë të bardhë, mes ullinjve

Kisha të tjera

Për secilën kishë na duhen emri, festa e saj, çfarë dihet për historinë dhe disa foto. Dërgoji dhe i vendosim këtu. Për Shën Thanasin presim edhe historinë dhe festën.

Video dhe fotografi të vjetra

Arkivi i fshatit: fotografi nga shtëpitë, familjet, dasmat e festat e dikurshme, dhe video nga takimet e Lukovës.

Arkivi është ende bosh

Dërgo fotot dhe videot, së bashku me vitin dhe emrat e njerëzve në to, kur i dimë. Çdo foto e vjetër ka vlerë, edhe nëse është e shkatërruar pak nga koha.

Biznese të Lukovës

Hotele, dhoma me qira, restorante, kafene dhe produkte të vendit si vaj ulliri dhe mjaltë. Vizitorët e faqes mund t'i gjejnë këtu me emër, përshkrim dhe numër kontakti.

Je pronar biznesi në Lukovë?

Dërgo emrin e biznesit, çfarë ofron, vendndodhjen dhe kontaktin përmes formularit më poshtë, dhe e shtojmë në listë.

Mbështet faqen

Faqja mbahet nga banorët. Çdo kontribut ndihmon për domenin, hostingun dhe mbledhjen e fotove e historive të fshatit.

Si të vish

Lukova ndodhet në rrugën bregdetare që lidh Sarandën me Vlorën (SH8).

Nga Saranda
Drejt veriut, përgjatë bregut jonian.
Nga Himara
Drejt jugut, përgjatë së njëjtës rrugë bregdetare.
Nga Greqia
Kalimi kufitar i Kakavijës ose me traget nga Korfuzi në Sarandë.

Na shkruani

Keni foto të vjetra, histori ose lajme nga fshati? Dërgojini këtu.